Intervistoi: Dashnim HEBIBI 

Intervistë Ekskluzive me Musa Sylejmanin, Veprimtar, Aktor dhe Menaxher i Shkollës së Aktrimit IFTP me Seli në Zvicër

  „Alarmi është ta ruajmë diasporën tonë. Të ndihmohet shkolla plotësuese shqipe. Të ndihmohet edhe shkolla jonë e aktrimit IFTP se vërtetë ka kuadër dhe drejtohet nga Prof. Adem Kicaj. Kam fatin që i takoj epokës rugoviane dhe jam rritur me personalitete të shquara të kombit tonë shqiptar, duke përfshirë nga të gjitha trevat tona. Edhe pse isha i ri me moshë, falë babait tim që më ka mbushur me frymë kombëtare, kam përvojë të pasur”, na tha ndër të tjera z.Sylejmani.

I nderuar z. Sylejmani, ju falenderoj për kohën! Jeni aktor dhe njëherit veprimtar i njohur, edhe pse me moshë jeni i ri. Na thoni si po ju duket kjo platformë mediale HelveticAlForum.ch?

Vërtetë është kënaqësi e veçantë të jap intervistë për portalin e juaj. Diaspora shqiptare, qysh moti ka pasur nevojë ta ketë një portal të pavarur, i cili pasqyron çdo aktivitet rreth diasporës. Për fat të mirë, falë punës e angazhimit tuaj të palodhshëm edhe pas tri dekadash, ne sot e kemi Portalin HelveticAlForum, i cili, për pak ditë, ka fituar besim në shtëpitë e bashkatdhetarëve të të gjitha trojeve shqiptare. Uroj të ketë sa më shumë suksese dhe jetëgjatësi. Ne e besojmë këtë sepse ju, z. Hebibi, keni përvojë të gjatë edhe në fushën e mediumeve dhe i njihni mirë angazhimet e mërgimtarëve tanë. E dimë mirë se nuk vraponi pas materiales, por pas dhënies hapësirë meritorëve. Ju përgëzoj dhe ju premtoj që do të keni përkrahjen tonë.

Si i vogël keni marë pjesë nëpër tubime, kur ka qenë në pyetje çlirimi i Kosovës, sepse vini nga një familje, e cila ka dhënë kontribut. Si e shihni Kosovën nga këndvështrimi juaj?

Rinia ime ka kaluar shumë nëpër tubime, organizime dhe kontribute për atdheun. Qysh nga viti 1997, kam qenë aktiv në çdo nivel të organizimeve.

Kam fatin që i takoj epokës rugoviane dhe jam rritur me personalitete të shquara të kombit tonë shqiptar, duke përfshirë nga të gjitha trevat tona. Edhe pse isha i ri me moshë, falë babait tim që më ka mbushur me frymë kombëtare, kam përvojë të pasur.

Mendoni se diaspora shqiptare, konkretisht në Zvicër, është e politizuar?

Nuk do të doja ta politizojmë diasporën. Mjaft ka dhënë diaspora jonë. Të them të drejtën, po, por edhe politika i ka limitet e veta, se deri ku mund të ndikojë në diasporë.

Përderisa një person i ka bindjet e veta politike dhe nuk cenon të drejtën e bindjeve të tjetrit, për mua është në rregull, por nuk është mirë kur po futen me sharje. Dëgjoj shpesh që hyjnë edhe në personale e flasin për familjet e njëri tjetrit. Popullata ka nevojë për programe dhe punë konkrete.

Në demokraci, çdo kush e ka të drejtën e politikëbërjes dhe sigurisht se dikush e adhuron X apo Y, me rëndësi të respektojë secili mendimin e njëri tjetrit dhe të punojë për të mirën e kombit.

Çka është dashur të kishin bërë qeveritë e kaluara dhe kjo qeveri për të mirën e diasporës?

Paj, çdo qeveri e ka etapën e vet vepruese. Nuk kanë bërë, për fat të keq, as qeveritë e kaluara dhe as kjo qeveri aktuale, e cila, diasporën e shikon si një hambar votash. Mendoj se diaspora po përdoret si mjet shërbimi votash. Uroj që në zgjedhjet e ardhshme të ndryshojë ky diskurs ndaj diasporës dhe diaspora të ketë vendin aty ku e meriton.

Ditë më parë e përmendëm edhe nga një studim i joni, Muzeun e Diasporës. E përkrahni edhe ju? Mendoni se do të ishte e nevojshme?

Vërtetë e përkrah me gjithë shpirt. Më ka pëlqyer kjo ide dhe është urgjente, sepse diaspora ka bërë shumë për Kosovën dhe jo vetëm, por edhe për Shqipërinë. Si materialisht, si fizikisht, ka aq shumë material sa që do ta kompletonte muzeun e diasporës, si pasuri e diasporës për gjithë brezat të cilët do të mburreshin me kontributin e prindërve të tyre. JU përgëzoj z. Hebibi për idenë e dhënë, sepse këtë ide e kam dëgjuar nga ju edhe atë për disa herë me radhë edhe atë shumë vite më herët. Por, nuk po respektohen ata që punojnë seriozisht dhe profesionalisht.

Jeni rritur si pjesë e diasporës dhe tashmë jeni edhe prind. Mendoni se pak po bëhet nga atdheu që ti ofrojë më shumë të rinjtë e mërgatës?

Po afrohen 30 vite që i kam kaluar jashtë atdheut. Kam kaluar shumë etapa rënieje e ngritjeje.
Qysh si i ri, në vitin 1998, falë prindit tim, kam pasur biznesin privat, së bashku me partnerin dhe kolegun tim te veçantë, Prof. Ajet Avdylin, i cili, përveç se është atdhetar, ai është edhe trim i veçantë. Njeri i fjalës dhe i besës. Objekti i firmës që e kemi pasur, e cila merrej pikërisht me informatikë, ishte shndërruar në një ambasadë të vogël të Kosovës, nga e cila, dua të zbuloj për portalin e juaj se për një ditë iu dërguan afër njëqind e-maile ambasadave të shteteve mike nga ky objekt për t’i informuar detajisht për dhunën e agresorit në Kosovë.

Nuk dua t’i përmend edhe shumë takime të rëndësishme  të fytyrave  politike nga Kosova dhe shumë vendimeve të rëndësishme  që janë marrë në atë kohë. Në shtëpinë time kanë qenë shumë personalitete të kohës, e sot disa prej tyre nuk janë në këtë botë. I kujtoj fjalët e tyre që flisnin për Kosovën. Por, nga Kosova, sidomos për rininë e diasporës është duke u bërë shumë pak apo thuajse hiç. Alarmi është ta ruajmë diasporën tonë. Të ndihmohet shkolla plotësuese shqipe. Të ndihmohet edhe shkolla jonë e aktrimit IFTP se vërtetë ka kuadër dhe drejtohet nga Prof. Adem Kicaj.

Ti kthehemi botës së artit. Jeni artist i diplomuar në shkollën e aktrimit IFTP të Adem Kicajt. Keni realizuar edhe disa projekte filmike. A mund të na flisni shkutimisht për to?

Të them të drejtën, shumë vite më parë, as në ëndërr s’e kam menduar të bëhem aktor.
Shumë gjëra i kam provuar, mediumet, sportin luftarak, por aktor kurrë, por ja që prof. Kicaj më ofroi dhe me të jam afër. Ai ka dhënë shumë prej vetes tek unë dhe i jam mirënjohës. Prof. Kicaj është një artist i madh. Artist me shpirt. Ai kur hyn në botën e rolit, ai e jeton.

Kam nderin që të shpalos detajet për portalin tuaj se si kam hyrë në botën e aktrimit. Pasi u njohëm me regjisorin Kicaj shumë kohë më parë, një ditë kisha dëgjuar se regjisori do ta realizonte një serial televiziv të quajtur „Kthetra“. Një ditë, me një takim më dha një pjesë të skenarit dhe më tha, “ma lexo pak këtë pjesën e Yllit”. E mora ta lexoja. Vërtetë më pëlqeu shumë dhe pyeta se kush do ta luante këtë rol. Ai më tha se e kishte një aktor, të cilit do t’ia jipte këtë rol.

Menjëherë i thashë, “mirë shumë”. Vazhduam deri një javë më vonë dhe më ftoi në një xhirim të trejlerit dhe më tha se unë isha Ylli në serial dhe se kisha rolin kryesor. Më besoni se kam pasur një frikë aq të fortë sa që nga majet e gishtave e deri te koka mu dridh trupi. I  thashë se kam dëshirë ta sfidoj veten dhe do të mundohesha ta bëja më të mirën e mundshme dhe iu përkushtova shumë kësaj fushe. Fillova të flisja me veten në rrugë, në punë, në shtëpi ku isha.

Flisja me veten, duke ushtruar, por falë edhe profesionizmit të Profesorit Kicaj, fillova edhe ligjeratat e rregullta në Akedeminë IFTP në Cyrih. Aty, së bashku me kolegun tim të kahmotshëm, Remzi Durmishi, diplomuam në aktrim, ku si pjesë diplome kishim realizimin e Filmit ‘Ofshama’, i cili u realizua në lokacionet: Suharekë, Gjilan, në fshatin tim të lindjes, Dobërçan e shumë lokacione tjera.
Pastaj u bëra edhe menaxher i IFTP-së. Prej asaj kohe, menaxhoj edhe komplet administratën e produksionit dhe Akademisë IFTP.

Po ashtu, kemi realizuar këto projekte:
Serialin ‘Kthetra’;
Filmin ‘PENDIMI’ 1-2;
Filmin ‘Shoqja Ime’;
Filmin ‘Vëllazëri dhe Interes’.


Jemi ende duke e xhiruar Serialin “KTHETRA”, me të cilin serial kemi pasur disa vështirësi, për shkak të disa aktorëve që nuk respektonin detyrën dhe u desh t’i zëvendësonim me disa të tjerë.
Po ashtu, jemi duke i bërë edhe përgatitjet me aktorët për filmin gjigand, i cili do të realizohet nga dy produksione shqiptaro zvicerane IFTP-PRODUCTION & HELVETIA FILM.

 

 

Më shumë nuk do të flas për këtë film-projekt, sepse do t’ia lëmë kohës. Po ashtu, në këto çaste, gjersa po zhvillojmë intervistën, në Prizrenin e bukur janë duke u bërë përgatitjet për hapjen e degës së Akademisë IFTP edhe në Kosovë me profesorë të njohur nga trojet shqiptare. Kemi shumë vështirësi financiare, sepse për t’u realizuar një film, duhen edhe mjete, por ia kemi dalur edhe duke sakrifikuar shumë.


Gjithashtu, jeni i angazhuar me televizion. Jeni mjeshtër i mirë i teknikës. Si është në përgjithësi fusha e mediumeve në Zvicër?

Po, shumë e vërtetë. Unë menaxhoj një medium televiziv këtu në Zvicër ‘ARI TV’, së bashku me regjisorin Adem Kicaj dhe kolegun tonë, diplomatin, doktorin dhe atdhetarin Salih Sefa, me te cilët jemi duke rrugëtuar në këtë medium me shumë vullnet.

Jeni pjesë e stafit të projektit “Ta Jetësojmë Aleksandër Moisiun”. A mund të na tregoni, kur saktësisht do të jetësohet busti i tij i paralajmëruar për në Morcote të Zvicrës?

Ndjehem shumë i kënaqur dhe i nderuar që jam pjesë e stafit të projektit në fjalë, së bashku me promotorin e IFTP-AKADEMI Prof. Adem Kicaj, gazetarin e njohur PhD. Dashnim Hebibin, atdhetarin, Remzi Durmishi dhe shumë të tjerë. Së bashku jemi duke e kryer një obligim ndaj kombit tonë, duke u mburrur me një figurë artistike ndërkombëtare, siç është Alexander Moisiu, të cilin do ta riatdhesojmë në Marcoten e Tiçinos, duke përuruar edhe emërtimin dhe bustin me emrin Alaxender Moisiu, të cilin bust është duke u punuar skulptori i madh Agon Qosa.


Viti 2025 do të jetë viti i Moisiut, kurse datat nuk i dimë saktësisht, sepse nuk varen nga ne, por do të jetë një periudhë kohore mars-maj 2025, kur besoj se do të jemi gati.

Për fund të kësaj bisede, cili është projekti i radhës që jeni duke punuar? E kam fjalën në fushën e filmit?

Projekti i radhës filmik do të jetë fillimi i xhirimeve të filmit gjigandit “BIRTH OF THE PRINCE” me skenar dhe regji të regjisorit, Adem Kicaj. Ju falenderoj nga zemra për këtë intervistë dhe ju uroj jetëgjatësi në këtë platformë mediale Helveticalforum.ch. Do ta keni përkrahjen tonë, siç e thashë edhe më lart, sepse e meritoni. Për fund, më lejoni që ti uroj të gjithë bashkëkombësve të mi, “urime 112 vjetori i shtetit shqiptar”! Kjo është datë e madhe e kombit. Të punojmë shumë që edhe pjesët tjera të tokave tona ti kemi të ribashkuara. Gëzuar!